Mediat gjermane shkruajnë për “numrin magjik 7” të Hansi Flikut

Trajneri i kombëtares është njëri nga profesionistët më të vlerësuar në futboll në të gjithë rruzullin, këto kohë. Ish-tekniku i Bajernit mori me vete serinë fituese te Gjermania dhe po vazhdon aty ku e la në Mynih. Mediat në Bavari shkruajnë për “numrin magjik 7” të tij. Së pari, Bajerni i dha Flikut 7 ndeshje në dispozicion për të provuar veten dhe ai jo vetëm që i bindi drejtuesit si Uli Hënes dhe Karl-Hajnc Rumenige, por edhe fitoi 7 trofe (sërish numri magjik). Në kombëtare, ai ktheu Tomas Mylerin, ndërsa i ka fituar të gjitha ndeshjet, sërish 7, edhe pse jo ndaj rivalëve tepër të fortë, pasi u ndesh me Lihtenshtajnin, Armeninë apo Rumaninë. Të martën, Gjermania ka miqësore me Holandën, ndërsa në verë ka ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Italisë, Anglisë dhe Hungarisë, pra do të ketë testin me të vërtetë të fortë përpara Botërorit të Katarit.

Sfidanti.al