Fitorja në Ligën e Kombeve sikur e ka galvanizuar këtë skuadër dhe tashmë “gjelat” nuk duken aspak të lodhur, por sikur të jenë “tigra” të vërtetë. Nuk ishte një fitore e vështirë ajo që e kualifikoi Francën për në finalet e Kupës së Botës në Katar vitin e ardhshëm, por gjithsesi potenciali i shfaqur para Kazakistanit ishte i frikshëm. Kilian Mbape shënoi 4 gola, 3 nga të cilët në pjesën e parë, Karim Benzema shtoi 2 gola të tjerë dhe Antuan Grizman e realizoi golin e tij në fitoren 8-0. Mbape ka 23 gola në kombëtare në 52 ndeshje, 7 nga të cilët këtë vit. Karim Benzema kaloi David Trezegenë duke pasur 35 gola ndaj 34 të ish-sulmuesit, ndërsa Antuan Grizman u bashkua me legjendën Mishel Platini, që të dy me nga 41 gola, 10 rrjeta prapa rekordmenit Tieri Henri dhe 5 gola pas Olivie Zhirusë. Franca arriti në 15 pikë pas suksesit me kazakët në Paris, duke qenë 4 pikë mbi Finlandën kur mbetet edhe nga një ndeshje, pasi grupi është me 5 skuadra.
Sfidanti.al