Manxhukiç-Ronaldo, Juventusi shkon në +6 me Napolin

Mund të kritikohet dhe me të drejtë, mund të jetë antipatik dhe t’i thuhet në sy se nuk është në nivelin e klasit të Lionel Mesit, por Kristiano Ronaldo gjithnjë e ka një përgjigje. U tregua përsëri lojtar i ndeshjeve të mëdha, duke qenë më i miri në fushë për Juventusin në supersfidën e Serisë A ndaj Napolit.

CR7 nuk shënoi asnjë gol, por padyshim ishte numri 1, edhe më shumë se Mario Manxhukiç që realizoi dy herë. Juventusi ka qenë edhe më parë skuadra më e mirë e Italisë, e si mund të mos jetë tani kur ka në përbërje lojtarin që pretendon të jetë numri 1 në botës, dhe që është pa as hijen më të vogël të dyshimit, të paktën numri 2 (t’i lemë mënjanë çmimet dhe trofetë individualë).

Juvja fitoi 3-1 dhe u shkëput në 6 pikë nga Napoli, sfidanti numër 1 dhe ekipi i dytë më i mirë i Serisë A. Napolitanët e Karlo Ançelotit kaluan të parët në epërsi me Dris Mertensin, por Ronaldo gjuajti dy herë duke i dhuruar Manxhukiçit golin e barazimit. Pas pushimit, Ronaldo vazhdon aksionin e Dibalës, gjuan, detyron portierin ta devijojë topin në shtyllë, ndërsa Manxhukiç vetëm e shtyu në rrjetë. Pastaj, ndërsa Napoli mbeti me 10 lojtarë (Mario Rui doli me të kuqe), Ronaldo goditi me kokë pas një korneje, duke bërë që Bonuçi sërish të shtynte topin në rrjetë. Kjo është Juvja dhe ky është Ronaldo.

Sfidanti.al