Është praktikisht e sigurt se do t’i thotë lamtumirë kësaj fanele të famshme. Rej Manaj nuk do të jetë më futbollist i Barcelonës, pjesë e së cilës ishte që nga viti 2020. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që ishte shënuesi më i mirë i Barçës B, që u stërvit me ekipin e parë, dhe që shënoi vjet në verë më shumë gola se gjithë të tjerët në fazën përgatitore, do të shkojë në një ekip tjetër. Katalanasit nisën dje grumbullimin për edicionin e ardhshëm, dhe në grupin që përfshinte emra të tillë si Pike, Pedri, Obamejang apo Ansu Fati, nuk ishte Manaj. Futbollisti kuqezi nuk cilësohet pjesë e planeve të trajnerit Ksavi Hernandez, ndërsa mediat raportojnë se ai është pranë kalimit në Premier Ligën angleze.
Uatfordi e kërkon 25-vjeçarin me origjinë nga Lushnja, dhe bisedimet janë në fazë të avancuar. Barça pranon ta japë sërish në huazim, pa kërkuar 2 milionë eurot për kartonin, veçse me të drejtën për të pasur përqindjen e vet në transferimin e ardhshëm të shqiptarit, nëse do të ndodhë. Kontrata e Manajt në “Kamp Nou” përfundon në 2023, ndërsa sezonin e kaluar ai ishte gjithashtu i huazuar, veçse në Serinë A tek Specia. Në 30 ndeshje, sulmuesi shënoi 5 gola duke qenë një nga lojtarët më të dalluar në suksesin e Specias që mbijetoi në elitën e futbollit italian. Gjithsesi, këtë verë Manaj kërkohet edhe nga Getafe në La Ligë, dhe shqiptari nuk do të ishte kundër që të mbetej në Spanjë.
Sfidanti.al