Kështu shkruajti e përditshmja “AS” në Madrid, dhe nuk mbetën prapa as “El Mundo Deportivo” apo “Sport” në Katalonjë. Memfis Depai është një nga lajmet e shkëlqyera për Barcelonën, në një sezon të zi, të nxirë nga ikja e Lionel Mesit dhe kriza e rëndë financiare. Sulmuesi i Barcelonës shënoi 3 gola në fitoren 6-1 ndaj Turqisë në “Arenën Johan Krujf” të Amsterdamit, duke ia shtuar dy rrjetave ndaj Maqedonisë së Veriut në 4 shtator. Në total ai ka 12 gola vetëm këtë vit. Holanda ka 13 pikë në grupin eleminator G të Kupës së Botës, duke dalë në vend të parë bashkë me Norvegjinë.
Tashmë, Memfisi ka 33 gola duke u barazuar me Johan Krujfin e lavdishëm dhe Abe Lenstrën, si golshënuesi i 8-të më i mirë i të gjitha kohëve i kombëtares holandeze, dhe këtë e ka bërë në 71 ndeshje. Duke qenë në moshën 27-vjeçare, Depai mundet që të kalojë shpejt Van Nistelroin, legjendën Vilkes (nga 36), e pastaj Robenin e Bergkampin që kanë nga 37. Nëse do të ketë karrierë të gjatë dhe të pandërprerë nga dëmtimet, i ka mundësitë të arrijë rekordin me 50 gola që e mban Robin Van Persi.
Sfidanti.al