Luka Donçiç, pinjolli i një serbi të Kosovës, dominon Euroligën

Luka Donçiç duhet të shijohet edhe pak kohë sa është në Europë. Djaloshi 18-vjeçar pritet të kërkohet shpejt në NBA, edhe pse sezoni i tanishëm mund të quhet një provë përfundimtare. Slloveni ndihmoi Realin që të arrinte një fitore prestigjioze në ndeshjen e parë të Euroligës, në Madrid, ndaj CSKA-së së Moskës, ndërsa kampionia e Rusisë e kishte humbur mjeshtrin e vet. Milosh Teodosiç tashmë është në NBA.

Tetëmbëdhjetëvjeçari, që shënoi 14 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 2 asistë dhe i vodhi dy topa kundërshtarëve, në vetëm 26 minuta lojë, është mrekullia e fundit e basketbollit kontinental, pas të tillëve si Sabonis, Petroviç, Kukoç apo Novicki.

Natyrisht ai është prodhim i shkollës sllovene të basketbollit, i lindur dhe i rritur në shtetin e vogël ish-jugosllav, veçse origjina e tij është shumë më në jug. Gjyshi i tij ka ardhur në Slloveni nga zona e Klinës në Pejë të Kosovës, babai i Lukës, Sasha, po ashtu ka lindur në Slloveni dhe ka qenë basketbollist, ndaj nga ana sportive janë plotësisht sllovenë.

Televizioni i shquar amerikan, ESPN, e mburr shumë Lukën dhe thotë se ai mund të bëhet Zgjedhja Numër 1 në NBA, diçka që asnjë europian nuk e ka bërë deri më sot. Jo pa arsye, për Donçiçin që ka fituar dy tituj në Spanjë dhe një Euroligë dhe është shpallur lojtari i ri më i mirë i Europës.

Sfidanti.al