Vite më parë, ishte një sport i dominuar nga austriakët, zviceranët e suedezët, por edhe me kanadezë të fortë, gjermanë të talentuar dhe italianë fitues. Sot, skitë alpine janë kthyer në sport amerikan, të paktën për femrat. Pas legjendares Lindsi Von, ja ku po shkëlqen ylli i ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mikaela Shifrin.
Vetëm 23-vjeçare, ajo është dy herë fituese radhazi e Kupës së Botës, dhe po i afrohet titullit të tretë pa ndërprerje. Suksesi i fundit i saj ishte në Sllallomin Gjigand në Itali, fitorja e 10-të e sezonit, dhe e 8-ta në 11 garat e fundit. Në total, ajo ka 52 fitore në karrierë, duke qenë fare pranë zviceranes së shkëlqyer Vreni Shnajder, vetëm dy fitore larg saj. Kuotën 50 fitore e arriti në moshën më të re në histori, ndërsa i duhet ende kohë që të arrijë dy më të mëdhatë, Anemari Moze-Prëll (Austri) me 62 fitore dhe Lindsi Von me 82, apo rekordmenin absolut, Ingemar Stenmark me 83.
Shifrin ka dalë dy herë kampione olimpike dhe ka fituar tri herë kampionatin botëror. Po ashtu, 23-vjeçarja është e vetmja skiatore në histori (meshkuj e femra) që ka fituar në të gjashtë disiplinat e skive alpine të Kupës së Botës.
Sfidanti.al