Vit i ri, “nafakë” e re. Tek Bajerni e dinë se çdo të thotë të luftosh në Bundesligë, dhe duket se të besuarit e trajnerit Niko Kovaç, më në fund, gjetën rrugën e duhur për të shkuar tek fitorja. Suksesi 2-1 në stadiumin e Hofenhajmit ishte një rezultat i rëndësishëm, dhe që e afroi në vetëm 3 pikë largësi me kryesuesen Dortmund. Hofenhajmi lufton për kupat e Europës, ndaj ishte detyrë e vështirë për Bajernin, por dy golat e Leon Goreckës bënë që ta mbyllte në epërsi 2-0 pjesën e parë.
Pas pushimit, vendasit shkurtuan diferencën me Niko Shulcin në 59’, por nuk e gjetën dot golin e barazimit. Bavarezët, me më shumë eksperiencë, goditën tre minuta para fundit, kur Robert Levandovski vulosi rezultatin 3-1. Ky ishte goli i 191-të i polakut në Bundesligë (117 me Bajernin, 74 me Dortmundin). Sulmuesi 30-vjeçar është vetëm 3 gola larg Klaudio Pizarros, ndërsa pak më larg janë Manfred Burgsmyler (213) dhe ish-trajneri i tij, Jup Hajnkes (220).
Besohet se polaku mund t’i arrijë këta, për t’u ngjitur në podiumin e shënuesve më të mirë në historinë e Bundesligës, ndonëse nuk dihet nëse do të ketë aq jetë sportive sa të pretendojë për të kaluar numrin 2 në histori, Klaus Fisherin me 268 rrjeta, dhe rekordmenin absolut, Gerd Mylerin që ka 365, të shënuar të gjithë me Bajernin.
Sfidanti.al