Ikardi, Shkriniar e Godin; Marota, tregoje veten tek Interi!

Një drejtues bëhet i madh në një klub të madh, ashtu si një futbollist fiton shumë trofe në një skuadër fituese. Bepe Marota ka rast të tregojë se ai është një drejtues fitues kudo, dhe Interi ka rast të tregojë se, më në fund, mund të konkurrojë me Juventusin për akordet me lojtarët.

Marota duket se mund të fitojë betejën e parë, atë për rinovimin e mbrojtësit shumë të kërkuar, Milan Shkriniar. Sllovaku ka kërkuar rritje rroge nga 1.7 milionë euro në sezon që merr tani, dhe oferta e Marotës është ngritur nga 2.5 në 3 milionë euro në sezon, plus shpërblime të ndryshme. Pra, i jep dyfishin, dhe besohet se gjithçka do të jetë konkrete pas janarit.

Interi kërkon edhe Diego Godinin, veteranin e mbrojtjes së Atletikos, i cili duket se ka dëshirë të vijë në Milano, edhe pse tifozët e kërkuan me këmbëngulje që të mbetet në Madrid.

Gjithsesi, basti më i madh për Marotën është ai me Ikardin. Kapiteni nuk është nga ata “klasikët” që nuk bën zhurmë dhe merret vesh “pas perdeve”. Jo, stili i tij është i përpunuar nga agjentja dhe gruaja, Uanda Nara, ndaj edhe Marota duhet të dijë të manovrojë. Sulmuesi merr 3.5 milionë euro në sezon, pak për standardin e tij, por besohet se drejtuesi i ri zikaltër do të arrijë ta bindë që të rinovojë.

Sfidanti.al