Në ndeshjen e fundit shënoi 39 pikë duke habitur ndoshta edhe vetveten. Lebron Xhejmsi ishte edhe më lart në realizim sesa pretendenti i ri për “fronin”, Zhoel Embijd, ndërsa është në vend të parë për shënuesit këtë sezon. Mesatarja e “Mbretit të koshit” është 30.1 pikë për ndeshje, në duel shumë të fortë me Embijdin (29.9), Adetokumbon (29.7), Trej Jangun (28.2) dhe Luka Donçiçin (27.9). Natyrisht, Lebroni nuk vlerësohet aq ndikues tek ekipi sa një Jokiç, Adetokumbo apo Embijd, por nuk duhet harruar se është 37 vjeç dhe po jeton një rini të dytë. Lebroni u bë i dyti lojtar në historinë e NBA-së që arrin shifrën e 37 000 pikëve në karrierë, ndërsa tani ka 37 024. Pritet që shpejt ai të bëhet numri 1, duke kaluar shënuesin më të mirë të historisë, Karim Abdul-Xhabarin që ka 38 387 pikë.
Për fat të keq, shkëlqimi i “gjyshit” nuk i bëri punë Lejkërsave që pësuan një tjetër humbje, këtë herë në fushën e Nju Orlinsit me shifrat 116-108. Mungesa e Entoni Dejvisit ndihet shumë, ndërsa Rasëll Uestbruk nuk është ai i dikurshmi. Lejkërsat janë në vendin e 10-të në renditjen e Perëndimit, madje kanë vetëm 1 humbje më pak sesa San Antonio. Nëse ndodh që edhe Spërsat t’i kalojnë, atëherë “Liqenasit” do të mbeten tërësisht jashtë plej ofit dhe ky do të ishte një dështim shumë i madh.
Sfidanti.al