Lebron përshëndet trajnerin e sëmurë me një “tripëll dabëll”

U desh loja e tij në nivele stratosferike që Klivlendi të kalonte në shtëpi ndaj Miluokit. Lebron Xhejms fitoi duelin me pasardhësin e tij të mundshëm, Janis Antetokumpo, dhe Kavaliersët triumfuan 124-117 në ndeshjen e fundit në NBA. Xhejms realizoi një “tripëll dabëll”, i treti për të në 4 ndeshjet e fundit, dhe të 71-in në karrierë.

Ishte si një lloj përshëndetjeje për trajnerin Tajron Lu, i cili ka marrë raport mjekësor për shkak se nuk ndihet mirë me shëndet dhe nuk dihet sesa kohë do të mungojë. Lebron shënoi 40 pikë në 40 minuta, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 11 asiste, “tripëll dabëlli” i 16-të i sezonit.

Ai gjithashtu vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje, me Klivlendin që po përpiqet të lerë pas vështirësitë e këtij sezoni për të arritur finalen e madhe të NBA-së për herë të katërt radhazi. Për momentin, nënkampionët janë në vend të tretë në Konferencën Lindore, ndërsa në ekip është rikthyer edhe Kevin Lov pasi la pas dëmtimin.

Antetokumpo, ndërkaq, nuk luajti aspak keq, duke shënuar 37 pikë, kapur 11 topa në tabela, shërbyer 5 asistë dhe vjedhjes së një topi. Ai u ndihmua nga Kris Midëlton me 30 pikë, ndërsa shumë mirë luajtën Bledsou, Parker e Mejkër.

Sfidanti.al