A do ta humbasë Murinjo “dhomën e zhveshjes” edhe tek Junajtidi?!

Kur ishte tek Çelsi dhe Reali i Madridit i ndodhi që skuadra u ftoh me të, dhe kjo për një trajner do të thotë largim i sigurt. Zhoze Murinjo, të paktën, pati probleme me disa lojtarë kryesorë dhe aventurat e tij në Londër e në Spanjë u mbyllën para kohe, ndërsa kjo gjë duket se po i ndodh edhe në “Old Traford”.

Mediat britanike shkruajnë pikërisht për “humbjen e dhomës së zhveshjes” së Mançester Junajtidit, nga trajneri portugez, pas kritikave të shumta të tij kohët e fundit, dhe planeve për të ndryshuar të paktën 8 futbollistë. Largimi i Henrik Mkitarianit, forma e Pol Pogbasë, deri edhe paraqitjet e blerjes së fundit, të bujshme, të Aleksis Sançezit tregojnë se Zhoze nuk i ka punët edhe aq mirë.

Rasti më flagrant, gjithsesi, duket ai i mbrojtësit Ljuk Shou, i cili u zëvendësua në pushim të ndeshjes së Kupës ndaj Brajtonit, dhe u kritikua publikisht nga portugezi. Veçse, disa fjalë të dala nga shoqëria e ngushtë e Shout paraqesin një situatë alarmante. “Murinjo ka arritur aty derisa ta kërcënojë Shoun, – thonë burimet, – lojtari është shumë i dëshpëruar. Trajtimi që po i bën trajneri është i turpshëm dhe nëse kjo do të kishte ndodhur në ndonjë vend tjetër pune, Murinjo do të ishte shkarkuar”.

“I veçanti” deklaroi pas ndeshjes me Brajtonin se lojtarët nuk u përgjigjën siç duhet pas eleminimit nga Championsi, dhe se vetëm 2-3 prej tyre mund të lavdërohen. Mos vallë, ekipi nuk luan më për trajnerin e tij? Nëse po, atëherë Zhoze nuk ka të ardhme tek Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al