S’ka më dilema pranon Mirabeli, Gatuzo do të mbesë trajner i Milanit

Drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli, bëri të ditur se qëndrimi i kryesisë së këtij klubi është unik, se Xhenaro Gatuzo do të vazhdojë të jetë trajneri kryesor i ekipit edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Gatuzo erdhi, në mes të sezonit, nga ekipi i të rinjve të Milanit dhe e “ngriti në këmbë” gjigantin që e kishte zënë gjumi, ndërkohë që, duke pasur parasysh kontratën e tij të tanishme, ai është një nga trajnerët të paguar më pak në Itali me një pagë mujore prej 10 000 eurosh. Sidoqoftë, Mirabeli është i bindur se ai, shumë shpejt, do ta gjejë gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit me këtë trajner.

“Për neve, nuk ka asnjë dilemë. Gatuzo do të vazhdojë punën te Milani edhe vite të tjera. Mbas pak ditësh, ne do të fillojmë bisedimet për një kontratë të re dhe unë pres që ne, shumë shpejt, do ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Ne nuk kemi nevojë për një trajner të ri, pasi kemi trajnerin më të mirë për Milanin”, vurti në dukje drejtori sportiv kuqezinjve milanezë.

Sfidanti.al