E ka një stadium, dhe shpesh ka menduar se e ka edhe një trajner. Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka deklaruar se ka gabuar vetëm një herë me teknikët e futbollit, kur emëroi Ari Hanin, por që pas fitores minimale ndaj Andorrës në mesin e nëntorit të kaluar duket se ka ndryshuar mendim. Një burim i besuar në Federatë tha në atë kohë se Edi Reja ishte me një karton të verdhë serioz, pasi Duka u zhgënjye nga loja e zhvilluar, dhe besohet se presidenti mund ta ketë futur dorën në xhep për t’i nxjerrë të verdhën e dytë.
Nuk mund të kishte reagim tjetër pas humbjes dhe lojës së pashpresë ndaj Izraelit në Tiranë, pavarësisht një pjese të parë pozitive. Gjithsesi, një burim me pozicion të lartë në Federatë, informon se Duka ka vendosur të presë. Përtej, mërzitisë dhe shpresave të thyera, njeriu që vendos për fatin e trajnerit të kombëtares, nuk do të marrë një vendim. Jo vetëm sepse ka ende shpresë se mund të ketë reagim në Izrael dhe ndaj Islandës, ashtu siç ndodhi në ndeshjet me Hungarinë Poloni, por edhe sepse ata burrat i mban të lidhur një kontratë. Një klauzolë në të ka të shkruar, të zezën mbi të bardhë, se Rejës i rinovohet automatikisht akordi nëse zë vendin e parë në grup, gjë që do të thoshte ngjitje në Nivelin A të Ligës së Kombeve, një sukses i madh. Në çdo rast tjetër, do të duhet të kishte sërish bisedime, e me gjasë, Duka do t’i jepte dorën italianit për të gjetur një njeri tjetër për stolin e kombëtares.
Sfidanti.al