Karlo Ançeloti e Pep Guardiola ishin dy trajnerë të gëzuar në mbrëmje vonë të kësaj të mërkure. Skuadrat e tyre u kualifikuan për në turin pasardhës të kupave përkatëse, trofeu i dytë më i rëndësishëm në shtëpi. Bajerni kaloi fare lehtë derbin (nëse mund të quhet i tillë) me Shalken në “Alianc Arena”, duke fituar 3-0. Gjithçka ndodhi në pjesën e parë kur Robert Levandovski, Tiago Alkantara dhe sërish Robert Levandovski shënuan golat. Pas pushimit, Shalke mbeti me 10 lojtarë pasi Holger Badshtyber (ish-lojtar i Bajernit) doli me karton të kuq, dhe ndeshja nuk pati më histori. Bavarezët u kualifikuan për në gjysmëfinale.
Një hap më prapa është Mançester Siti. Skuadra e fuqishme luajti ndeshjen e përsëritur në “Etihad”, ku u trondit fillimisht nga modestja Hadërsfild, që kaloi në avantazh. Në minutën e 7-të shënoi ish-lojtari i Sitit, Harri Bjun. Reagimi ishte i shpejtë dhe në 30’ realizoi Leroi Sane, në minutën e 35-të Sergio Aguero me penallti, pastaj në të 38-ën minutë shtoi një gol edhe Zabaleta. Në pjesën e dytë, Aguero dhe i riu Iheanaço fiksuan shifrat 5-1 për Sitin që do të ndeshet në çerekfinale me Midëllsbroun.
Sfidanti.al