Kupa e Botës, Italia, Kristiano dhe Ibra nisin sot “purgatorin” e plej ofit!

Shqetësimin më të madh e kanë të kaltrit. Italia, katër herë kampione e botës dhe kampione e Europës në fuqi, rrezikon të mos jetë në Katar. Skuadra e trajnerit Roberto Mançini, do të luajë sonte në Palermo ndaj Maqedonisë së Veriut ndeshjen gjysmëfinale të plej ofit për në Kupën e Botës, dhe fitorja është detyrim. Fitorja e mundshme sonte gjithsesi nuk do ta kualifikonte direkt, pasi e pret edhe finalja e mundshme ndaj Portugalisë së Ronaldos. Italianëve u mungon Di Lorenco, ndërsa Bonuçi e Kielini janë në dyshim.

“Nuk duhet ta nënvleftësojmë ndeshjen, të mos e quajmë të fituar që pa e luajtur, – tha trajneri, – për Maqedoninë e Veriut do të jetë ndeshja më e madhe e historisë, pra do të japë maksimumin për ta fituar. Një skuadër teknike, me lojtarë të aftë dhe që mbrohet me të gjithë lojtarë. Ka fituar edhe me Gjermaninë. Jemi të lumtur në Palermo, ku Italia ka dalë gjithnjë mirë”.

Italianët nuk e mendojnë dështimin, por nuk duhet harruar se nuk ishin në Kupën e Botës në Rusi 4 vjet më parë, të eliminuar nga Suedia pikërisht në plej of. Të kaltrit mund t’i vendosë fati përballë Portugalisë së Kristiano Ronaldos, nëse ajo fiton gjysmëfinalen e saj ndaj Turqisë, sonte në orën 20:45 në Bragë. Superylli i Mançester Junajtidit lufton për të evituar fundin e karrierës me kombëtaren, sepse në moshën 37-vjeçare vështirë se mund të ketë mundësi tjetër në të ardhmen.

Për të shmangur fundin mendon edhe Zllatan Ibrahimoviç që është i përfshirë në plej of me Suedinë. Ibra është 40 vjeç, dhe mund t’i japë fund karrierës edhe përpara Ronaldos. Skandinavët luajnë gjysmëfinalen në shtëpi ndaj Çekisë, dhe i pret një finale e mundshme ndaj Polonisë që u kualifikua direkt pas përjashtimit të Rusisë. Në 20:45 luan edhe Uellsi përballë Austrisë, ndeshja ndeshja Skoci-Ukrainë është shtyrë për shkak të luftës.

Sfidanti.al