Kroacia mposht Rusinë e Putinit, barazon mrekullinë e vitit 1998!

Nuk mund të fitojë ndryshe, përveçse kështu. Kjo është Kroacia e madhe e një vendi të vogël, që mposhti kombëtaren e shtetit më të madh në botë, Rusisë, për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit. Në pengesën e fundit përpara finales do të kenë përballë Anglinë.

Nuk mjaftuan 90 minuta, madje as 120, dhe ashtu si kundër Danimarkës, shpëtimtari u bë portieri Danijel Subashiç, vendimtar tek gjuajtjet e penalltive. Numri 1 kroat, këtë herë priti vetëm një 11-metërsh, por edhe kaq mjaftoi, sepse rusët gabuan më shumë. Gjithsesi, Subashiç pati fat, pasi kaloi shpejt një dëmtim që u duk serioz në minutën e parafundit. Nëse ai nuk do të kishte qenë, historia e penalltive mund të kishte qenë ndryshe.

Çerekfinalja në stadiumin e Soçit u parashikua pikërisht në favor të Kroacisë, veçse suksesi ishte më shumë sesa i vuajtur. Rusia, e udhëhequr nga trajneri Çerçesov, mbiquajtur “Komandanti”, sfidoi çdo vlerësim teknik të bërë para ndeshjes, duke mos lejuar të shkelej me këmbë. Kaloi e para në avantazh dhe nuk u dorëzua as kur potenciali shumë më i madh kroat solli përmbysjen. Në minutat e fundit të shtesës së dytë, barazoi rezultatin duke treguar një forcë të madhe psikologjike.

U mund me meritë nga një ekip më i fortë, por duke dalë me kokën lart nga Botërori, duke bërë krenar një komb të tërë dhe presidentin Putin, i cili këtë herë nuk ishte në tribunë. Aty ishte presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç. Yjet kroatë tani ëndërrojnë të mundin dhe Anglinë, e të kalojnë mrekullinë e brezit të artë të vitit 1998.

Sfidanti.al