Ironikisht, shumëkush nuk e donte Antonio Konten dhe pati gëzim kur ai u largua. Mjaft nga njerëzit pranë Interit dëshironin një futboll tjetër dhe më pak tension në klub, dhe këtë e arritën kur në stol u ul Simone Inzagi. Ish-trajneri i Lacios u cilësua si heroi zikaltër pas “epokës Konte”, por këto ditë po tregohet me gisht si fajtori kryesor. Barazimi 1-1 me Fiorentinën në “San Siro” bëri që të shpërthenin kritikat për një ekip që tashmë e ka shumë të vështirë të mbrojë titullin. Milani është 6 pikë larg dhe është në marshim, Napoli po fiton, Juventusi afrohet dhe duhet falenderuar ngecja e Atalantës që të paktën nuk rrezikohet zona Champions. Mediat italiane shkruajnë se loja e Inzagit është e parashikueshme, se ai nuk i përshtatet kundërshtarëve, se është shabllon në skemat e tij, dhe se nuk mund të ketë si justifikim mungesën e Brozoviçit. Kritika më dashamirëse është që Inzagi nuk ka përvojë në “lartësi” të tilla kur luftohet për titull. Ndoshta do të mësojë për vitin tjetër, nëse nuk do ta shkarkojnë.
Sfidanti.al