Do të synohet fitorja e parë. Ky është objektivi i Kosovës që do të presë Rumaninë në ndeshjen e radhës eliminatore të Europianit 2024, dhe trajneri Alen Zhires botoi listën e futbollistëve që do të grumbullojë. Emri i madh i futbollit francez ka ftuar 23 lojtarë për duelet kundër rumunëve në 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, dhe për ndeshjen tjetër, në fushën e Bjellorusisë në 19. Në listë nuk mungojnë emrat e njohur si Amir Rrahmani që u shpall kampion i Italisë me Napolin, sulmuesi kryesor Vedat Muriqi që luan në La Ligën spanjolle apo Milot Rashica që fitoi titullin në Superligën turke me Gallatasarajin.
Ndër kampionët, mungon vetëm Arbnor Muja i Gentit që luan në Belgjikë. Bie në sy se “dardanët” kanë në përbërje vetëm lojtarë që luajnë në Europë, në Angli, Itali, Zvicër, Hungari, Francë, Gjermani apo Turqi. Trajneri Zhires nuk ka marrë asnjë lojtar nga Superliga e Kosovës, ndërsa në përbërje është portieri i Tiranës, Visar Bekaj, i cili gjithashtu pritet të luajë në Europë sezonin e ardhshëm. Kosova ka dy pikë në dy ndeshje në eliminatoret e Europianit, pas barazimeve 1-1 ndaj Izraelit dhe Andorrës.
Sfidanti.al