Kori Gof dhe Gjokoviç vazhdojnë marshimin në Uimbëlldon

Janë dy yje të tenisit të ndryshëm sa më s’bëhet. Kori Gof është fillestarja e paracaktuar nga fati (kështu thonë), dhe i ka buzët ende “me qumësht”, ndërsa Novak Gjokoviç është kampioni në fuqi i Uimbëlldonit, sot në moshën 31-vjeçare. Fitoret i patën, sidoqoftë, të ngjashme, ndonëse serbi luajti një set më shumë, siç është rregulli tek meshkujt.

Amerikania, pasi mposhti patrioten e saj Venus Uilliams në raundin e parë, kaloi edhe çeken Magdalena Ribarikova me shifrat 2-0 me sete. Nuk iu desh shumë kohë dhe lodhje, ndërsa 15-vjeçarja u duk sërish si në shtëpinë e vet, në tapetin më të famshëm të barit në të gjithë botën. Shifrat e seteve ishin 6-3 e 6-3, ndërsa në raundin e tretë do të ndeshet me Polona Hercogun.

Gjokoviç, ndërkaq, fitoi ndaj amerikanit Denis Kadla (Kudla) dhe rreziku më i madh që pati ishte një rrëzim paksa problematik. Për fat, nuk ishte dëmtim dhe Nole vazhdoi ndeshjen pa pengesë deri në fund. Shifrat 3-0 me sete u materializuan me rezultatin 6-3, 6-2 e 6-2. Edhe pse nuk është një specialist i përsosur në bar, si Rozher Federer, Gjokoviç ia del të jetë pretendent i madh dhe favorit, jo më kot ka fituar 4 tituj në Uimbëlldon. Në turin e tretë do të ketë përballë polakun Hurkash.

Sfidanti.al