Përvoja e kaluar nga Garet Bejli në Madrid e tregon qartë, lojtari duhet të ketë një lidhje sa më të fortë me vendin ku luan. Uellsiani nuk mësoi spanjisht as pas disa vjetësh, dhe padyshim mbeti një “mish i huaj” tek Reali, e kështu mund të ndodhë për Kristian Eriksenin tek Interi. Mediat italiane shkruajnë se trajneri Antonio Konte do ta lerë sërish në stol mesfushorin danez, ndërsa këtij të fundit i vjen një këshillë nga shoku i skuadrës, dhe nga rivali i mesjavës, Romelu Lukaku (në foto). Dy lojtarët u përballën në duelin Belgjikë-Danimarkë (4-2), ku Lukaku shënoi dy gola, dhe sulmuesi foli edhe për danezin. “Unë e këshilloj që të mësojë italishten, – theksoi ai, – ai duhet të komunikojë më mirë me shokët e skuadrës. Nuk ka dyshim që Erikseni ka të gjitha cilësitë për të qenë një lojtar i madh, dhe unë dua që ta ndihmoj. Nëse mëson gjuhën do ta ketë më të lehtë, dhe mund t’ia dalë”.
Sfidanti.al