Në përfundim të ndeshjes, përtej emocioneve të forta, momenteve plot nerva e protestave, përtej dëshirës për të festuar apo për të sharë me gjithë shpirt, dy burrat gjetën forcën për t’u ndarë si njerëz. Pep Guardiola e Jurgen Klopi jo vetëm i dhanë dorën njëri-tjetrit, por edhe u përqafuan, ndërsa për mbi 90 minuta luftuan një duel për jetë a vdekje. E tërheq edhe vendi këtë sjelle, pasi është Premier Liga e Anglisë, por janë edhe dy zotërinjtë (apo shokët e miqtë, shprehur ndryshe) e futbollit, që edhe gjatë ndeshjes në “Etihad” bënë gjithçka për sulmin. Formacionet offensive, zëvendësimet po ashtu vetëm me shikim përpara si Grilish, Mahrez, Firmino apo Diaz. Ky është futbolli i vërtetë, jo ai pa gabime, sepse ai nuk ekziston. Klopi ka defekt pozicionin jashtë loje që desh e mori në qafë disa herë. Guardiola ndonjëherë fantazon më shumë sesa duhet dhe nuk di të mbrohet kur i duhet. Gjithsesi, i gjithë rruzulli që e ndjek lojën ua di për faleminderit.
Sfidanti.al