Në derbi mbërritën në pozitë më të keqe sesa rivalët e tyre të mëdhenj. Klipersat ishin poshtë Lejkërsave në renditjen e Konferencës Perëndimore në NBA, por kjo nuk pati asnjë rëndësi në “Stejpëlls Sentër”. Jo më kot, Koui Leonard dhe shokët e tij kishin fituar derbin e parë, dhe e bënë edhe në të dytin me shifrat 111-106. Los Anxhelosi i përket atyre, të paktën për momentin, dhe shpresa për një titull kampion mbetet e madhe, pavarësisht dritë-hijeve.
Leonard ishte lideri i vërtetë duke shënuar 35 pikë në ndeshjen më të ndjeshme për tifozët, nga të cilat 11 vetëm në pjesën e katërt e të fundit. Ai kapi edhe 12 topa në tabela, shërbeu 5 asistë dhe bëri një vjedhje topi, duke qenë mjaft i saktë në gjuajtje. Përballë tij, Lebron Xhejms dhe Entoni Dejvis u përpoqën shumë, por nuk ia dolën. Lebroni pati 23 pikë, 9 topa në tabela, 10 asistë, 2 vjedhje topi, një bllokim gjuajtjeje, por edhe dy gjuajtje të bllokuara. Ai gaboi shumë në gjuajtjet e tij, e po ashtu Entoni Dejvis (të dy, 3-18 për tri pikë). Ky i fundit realizoi 24 pikë, por kapi vetëm 6 topa në tabela.
Lejkërsat, në të vërtetë, kryesuan deri në 15 pikë epërsi dhe ishin në avantazh edhe në pjesën e katërt, por nuk u mbajtën dot deri në fund. Në renditjen e Perëndimit, Lejkërsat kryesojnë me 24 fitore e 7 humbje, ndërsa Klipersat janë në vend të tretë me 23 fitore e 10 humbje.
Sfidanti.al