Të paktën që nga fillimi i shekullit të 20-të, një pjesë e madhe e burrave të kësaj bote patën mundësi të hidheshin në biznes dhe të kuptonin se puna nuk të thotë asnjëherë “mjaft”, ajo është si Kozmosi, pa fund në hapësirë dhe kohë. Prej disa dekadash, në këtë vorbull të sistemit që ne e quajmë kapitalizëm kanë hyrë edhe femrat, dhe kjo “rendje prej maratonomaku” po shkatërron ekulibrat e vjetër, që janë njëkohësisht edhe ekulibrat që mbajnë në këmbë racën njerëzore.
Këtë na kujton trajnerja e një kombëtareje të Anglisë për femra, Trejsi Nevil, motra e Geri e Fil Nevil, ish-mbrojtës të Mançester Junajtidit. Trejsi, trajnere e kombëtares angleze të “toprrjetës” (netball, një lloj basketbolli), është 42 vjeç dhe ka vendosur të japë dorëheqjen pas Kupës së Botës që zhvillohet në korrik në Liverpul. Ajo ka vendosur të krijojë familje, diçka krejt nomale për një femër, veçse jo edhe aq normale kur je në moshën 42-vjeçare.
Sa kanë ndryshuar kohët! Dikur, nënat 42-vjeçare i kishin vajzat si shoqe, rreth 20 vjeç, ndërsa sot 42 vjeç nis të krijohet familja. Gjithsesi, edhe në Angli apo kudo në Perëndim, ky është një problem, ndonëse jetëgjatësia e njerëzit është rritur ndjeshëm, dhe po ashtu forma fizike dhe shëndetësore.
Me shumë gjasë, do të duhet të kalojë kjo dalldi për fitim dhe për shkak të pasigurisë (më shumë sesa dëshira për punë), dhe njerëzit të mësojnë të ekuilibrojnë jetët e tyre. Në vendet nordike e kanë nisur, suedezët e quajnë baba të keq, atë burrë që rri në punë pas orës 16:00.
Sfidanti.al