Në 1994, ai pësoi një humbje të papritur dhe të rëndë ndaj një rivali jo edhe aq të madh, të quajtur Oliver Mekkoll. Lenoks Ljuis, që më pas do të bëhej kampioni i padiskutueshëm i botës në peshat e rënda të boksit profesionist, shkarkoi trajnerin e asaj kohe dhe pajtoi Mani Stjuardin, me të cilin shkoi drejt lavdisë.
Këtë këshillë, ish-boksieri britanik ia jep britanikut tjetër të famshëm, Entoni Xhoshuas, që u mund papritur nga meksikani Andi Ruiz i Riu. “Unë i them Entonit se nuk mund të shkosh në universitet dhe të kesh një mësues të klasit të tretë, – u shpreh Ljuisi, – në një nivel të tillë të duhet një profesor. Unë e di se Rob Mekkrekën është një trajner shumë i mirë, por ndoshta jo i përshtatshëm për stilin që i duhet Xhoshuas. Vura re, se Entoni nuk ishte aspak i përgatitur për mënyrën e luftimit të Ruizit, dhe ky ishte minus i madh për të”.
Nën drejtimin e Mani Stjuardit, Lenoks Ljuisi mundi me radhë Majk Tajsonin, Evander Holifildin dhe Vitali Kliçkon, duke u bërë kampioni i padiskutueshëm i peshës së rëndë. Humbja e Xhoshuas, ndërkaq, ishte një e papritur e madhe, ndonëse u tha se ai ishte në formë të dobët që më parë, dhe se u hodh nokaut nga një rival në stërvitje 4 javë para ndeshjes. Edhe Ljuisi pësoi humbje të papritura, si ndaj Oliver Mekkollit dhe Hashim Rrahmanit, por gjithnjë ia doli të ringjitej në majë.
Sfidanti.al