Kampionë edhe në shpenzimin e milionave, nga Meiuedher tek Xhordan!

Sportistë të njohur fitojnë miliona dhe kanë gjithçka që dëshirojnë, por ka edhe nga ata që marrin rrugë të gabuar. Nuk është fjala vetëm për drogën dhe alkoolin, por edhe për vënien e bastave që është një problem tjetër i madh.
Flojd Meiuedher, siç i ka fituar paratë me grushte, me grushte i ka vënë edhe në baste, madje thuhet se ai di të vejë baste edhe 100 000 dollarë. Gjatë një jave ai vuri baste me vlerë një milion dollarë për një ekip amerikan hokei.
Futbollisti legjendar gjerman, Ditmar Haman, që ka luajtur me Bajernin e Mynihut, Njukasllin, Liverpulin dhe Mançester Siti, vinte bast për gjithçka. “Mbaj mend se një natë humba 288 400 sterlina”, kujton Hamani.
Ish-trajneri i njohur kroat i Dinamos së Zagrebit, po ashtu edhe i përfaqësueses së Shqipërisë, Josip Kuzhe, nuk e fshihte varësinë e tij nga bastet që gati e shkatërruan atë. Në fakt, Kuzhe si njeri ka qenë një zotëri të vërtetë dhe ekspert mjaft i mirë i futbollit, por në jetën e tij hynë bastet dhe kështu nisi tatëpjeta.
“Dikush në situatën time do të kishte humbur edhe familjen, por unë pata fat, pasi ajo më dha mbështetje. Gruaja ime kujtonte se ne kishim në banka miliona dollarë, por kur mori vesh se ne nuk kishim asgjë, ajo vetëm se më tha: ‘Nëse duhej që të humbisnim diçka, atëherë më mirë le të jenë paratë’. Kjo që më ndodhi mua, mund t’u ndodhë shumë njerëzve që kanë probleme me bastet”, thoshte Kuzhe.
Majkëll Xhordan shpenzoi miliona dollarë për golf dhe poker. Gjithçka nisi më 1993, kur Xhordani u vu re në një kazino në Atlantik Siti para ndeshjes me Niksat. Ai humbi shumë para në kazino, duke kaluar nga argëtimi në varësi serioze nga baste.
Ish-futbollisti i Barcelonës Ejdur Gudjonsen, për shkak të basteve, kishte borxhe deri në gjashtë milionë sterlina.
Ish-futbollisti i Arsenalit Keni Sansom falimentoi, ndërkohë që probleme me bastet kanë pasur edhe Dominik Mateo, Dejvid Bentli, Xhon Teri, Uejn Runi dhe shumë futbollistë të tjerë.
Sfidanti.al