Federata Spanjolle e Futbollit u detyrua të lajmëronte se edhe një lojtar tjetër i kombëtares ishte prekur nga koronavirusi, dhe ky ishte Diego Jorente. Goditja e dytë për “Furitë e Kuqe” pas asaj të Busketsit, me skuadrën krejtësisht të izoluar dhe me shefin e Federatës, Rubiales, që thotë se “mund të ketë të infektuar të tjerë”. Gjithsesi, iberikët mund ta linin mënjanë për një farë kohe shqetësimin e Kovidit, dhe të lumturoheshin me ekipin e tyre Shpresa. Në mungesë të të rriturve të Luis Enrikesit, spanjollët u detyruan të rreshtonin në fushë ekipin U21 kundër Lituanisë, meqë ndeshja ishte përcaktuar me kohë. Pavarësisht diferencës së moshës, sepse po luanin me një ekip A, spanjollët e rinj fituan 4-0 ndaj baltikasve me gola të shënuar nga Hugo Gijamon (Guillamon), Brahim Diaz, Huan Miranda dhe Havi Puado. Mediat e Madridit u krenuan duke shkruar: “Çfarë të ardhme që ka Spanja!”
Sfidanti.al