Jehona mediatike, Europa “bie në këmbët” e Mançester Sitit!

“Sandi Telegraf” vendos në kopertinë foton e “Qytetarëve” me trofeun dhe ka titullin: Siti vulos treshen e trofeve! “Deili Star” bëri lojë fjalësh duke shkruar “të pabesueshëm”, por duke nënkuptuar se yjet e Sitit morën tre trofetë në sezon. Ja edhe “San”, që bën gjithashtu lojë fjalësh duke shkruar “tronditës”, por duke nënkuptuar, që ekipi i Guardiolës mori tre titujt. “Ekspres Sport” ka foton e shpërthimit të Rodrit pas golit me titullin: Ata që shkruan historinë! Djemtë e Pepit vulosën “treblen”! “Deili Meil” shkruan thjesht: Kampionët e Europës! Man. Siti rrëmben fitoren e lavdishme të tre trofeve! “Bërtitje e trefishtë, – shkruan “Heraldi”, – kapiteni Ilkai Gyndogan mban trofeun e Championsit në stadiumin “Ataturk” të Stambollit!”

Mediat në Itali patën trishtim, por edhe krenari. “Lotë kampionësh”, – ishte titulli i “La Gazeta delo Sportit”, – zikaltërit bien 0-1. Interi luan i barabartë dhe shpërdoron. Championsi për Sitin!” “Jo kështu, – është thirrja e “Il Korriere delo Sportit”, – Guardiola ngre Championsin, por zikaltërit dalin nga fusha mes duartrokitjeve. Interi bën Sitin që të dridhet!” Lojë fjalësh me ngjyra për “Tutosportin” Një ëndërr e ndërprerë! Zikaltërit luajnë të barabartë, por paguajnë gabimet dhe pafatësinë!”

Në Spanjë, më të lumturat ishin gazetat katalanase. “El Mundo Deportivo”: Champions Siti! Goli i Rodrit thyen rezistencën e hekurt të Interit. Siti merr trofeun e parë! Titulli i tretë i Pepit!” “Pepi historik, – titullon “Sport” po nga Barcelona, – Siti fiton më në fund Championsin me gol të Rodrit, thyen Interin që luftoi deri në finale!”

“Don Rodrigo, – shkruan “Marka” e Madridit, duke lavdëruar shënuesin spanjoll të golit, – fitorja e parë e Sitit ka aksent spanjoll!” Ja edhe “AS”, po nga Madridi: Championsi i Rodrit! Një gol i spanjollit i dha Sitit kupën e parë të Europës dhe të tretën për Guardiolën!”

Nga Franca, “L’Ekip” ka komentin: Mançester Siti në perfeksion, duke luajtur me emrin e Pep Guardiolës: Gjithsesi, fitorja në Champions nuk ishte mahnitëse!”

Sfidanti.al