I pashtershmi Ronaldo, tregolësha në 10 gara të ndryshme në karrierë!

Lumturia ishte e madhe sepse ishte hera e parë në Serinë A. Kristiano Ronaldo, njeriu i shifrave sugjestionuese, nuk kishte mundur ta linte këtë shenjë në kampionatin italian, por më në fund ia doli të realizonte një tregolësh, duke shkruar historinë. Superylli që ka realizuar gjithsej 715 rrjeta në karrierë, u bë i pari për të gjitha kohët që shënon të paktën një tregolësh në 10 gara të ndryshme.

E kishte bërë në moshë shumë të re me Mançester Junajtidin në Premier Ligën angleze, ndërsa ende po ngjitej në majat më të larta të profesionizmit. Falë këtij klasi e mori Reali i Madridit, dhe në “Bernabeu” u tregua i jashtëzakonshëm.  Shënoi 450 herë në vetëm 438 ndeshje, dhe padyshim pati disa tregolësha në La Ligën e Spanjës.

Shkëlqimin më të madh, sidoqoftë, CR7-ta e ka pasur thuajse gjithnjë në Champions, në kompeticionin e tij të preferuar, ku është edhe rekordmen i rrjetave, me plot 129. Tregolëshat nuk munguan as këtu, pavarësisht nga ngjyra e fanelës. Ronaldo nuk lejoi që t’i mbetej hatri kombëtares së tij, pasi e ngjiti Portugalinë në lartësi ku nuk ia kishte dalë as legjenda Euzebio. Nga 99 tundjet e rrjetave me ekipin përfaqësues, pati tregolësha në disa gara.

Ia doli në eleminatoret e Kupës së Botës, në eleminatoret e Kampionatit Europian, si edhe në Ligën e Kombeve. Jo më kot, Portugalia e Kristianos fitoi Euro 2016-ën dhe pikërisht Ligën e parë të Kombeve të luajtur në kontinent. Ronaldo, për  një muaj 35-vjeçar, është padyshim i etur për suksese të tjera.

Sfidanti.al