Një sezon i paharruar është që tani kulmor. Deçiçi i Tuzit është ekip krenar i një qyteti të vogël shqiptarësh, ndërsa tani e shënoi emrin e tij në histori, duke u kualifikuar për herë të parë në finalen e Kupës së Malit të Zi. Pra, mund të fitohet titulli i parë në 95 vjet ekzistencë të klubit të Malësisë së shqiptarëve të Tuzit, si dhe Deçiçi mund të jetë pjesëmarrës në Ligën e Europës sezonin tjetër. Suksesi u arrit pas fitores 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale ndaj Iskrës së Danilovgradit. Golin e vetëm e shënoi Danilo Peshukiç në nisje të pjesës së dytë, ndërsa në radhët e tuzjanëve janë lojtarë si Tuçi, kapiteni Dreshaj, Lulgjuraj, Vulaj, Gjelaj, Maloku apo Popoviç, Rudoviç apo Axhoviç.
Në finale, ekipi i Malësisë do të luajë ndaj skuadrës më të fortë të Malit të Zi, Buduçnostit të Podgoricës, që mundi 3-0 Zetën në gjysmëfinale. Kthesa nisi në korrik 2019 kur Pal Dreshaj u emërua president i klubit, që në atë kohë ndodhej në ligën e dytë, ndërsa brenda një sezoni u ngjti në Superligë, e tani synon trofe dhe Europën. Skuadra e drejtuar nga trajneri boshnjak Edis Mulaliç po zhvillon një stinë futbollistike të shkëlqyer, duke qenë në vendin e tretë në kampionat, pas Buduçnostit e Sutjeskës, madje i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur i dyti, duke qenë një pikë prapa Sutjeskës, ndërsa do të kenë ndeshjen direkte në 9 maj në fushën e kësaj të fundit. Në çerekfinale të Kupës, Deçiçi eleminoi pikërisht Sutjeskën.
Sfidanti.al