Një kampion i madh “ka lindur” për Shqipërinë dhe po shkëlqen fort në kryeqytetin e Serbisë. Alban Beqiri, boksieri i klubit sportiv Tirana, arriti suksesin më të madh në histori për kombëtaren shqiptare të këtij sporti duke u kualifikuar për në çerekfinale të Kampionatit Botëror që zhvillohet në Beograd. Beqiri mundi panamezin Eduardo Bekford dhe i bëri vend vetes mes 8 boksierëve më të mirë në rruzull në peshën deri 71 kg. Më herët ai kishte arritur dy fitore të tjera, në raundin e parë ndaj kenianit Bonifejs Maina, dhe në raundin e dytë kundër Saimonas Banisit të Lituanisë, që të dyja me rezultatin e pastër dhe unanim, 5-0. Në çerekfinale, Beqiri do të ndeshet me një tjetër kundërshtar të fortë, kampionin nga Jordania, Zejad Ishaish, për një vend në gjysmëfinale. Pra boksieri shqiptar është vetëm një hap larg medaljes në Botërorin e Beogradit.
Sfidanti.al