Mançester Junajtidi reagoi fort pas katastrofës 0-5 me Liverpulin në “Old Traford”, ndërsa fitorja 3-0 në stadiumin e Totenhemit ishte e madhe, edhe me gol të Kristiano Ronaldos. Superylli portugez u duk shumë më mirë këtë herë në sistemin 5-3-2 të trajnerit Solskjer, por ndoshta edhe për shkak se kundërshtari këtë herë ishte shumë më i lehtë, Totenhemi i dorëzuar para kohe, në krahasim me Liverpulin e Klopit. Gjithsesi, CR7 sheh përpara dhe mendon se kjo fitore do të thotë shumë për vazhdimin e sezonit në Premier Ligë dhe në Champions.
“E dinim se do të ishte e vështirë, – tha Kristiano, – patëm një javë të vështirë, ishim nën presion, por ishin të sigurt se do të dinim të përgjigjeshim. Ishte një paraqitje e madhe e ekipit. Nuk i kam problem kritikat dhe vazhdoj përpara. Nuk i prisnim dy rezultatet e kaluara, por shpresoj që këtë herë ta kemi kthyer fletën”. Ronaldo shënoi golin e parë me klasin e një mjeshtri, si dhe shërbeu asistin e golit të dytë shënuar nga Edinson Kavani. Përpara suksesit 3-0 në Londër, Junajtidi ishte mundur 2-4 në fushën e Leisterit dhe 0-5 me Liverpulin në “Old Traford”.
Sfidanti.al