Hamiltoni fiton 15 vende në sprint, Verstapeni më pranë titullit

Ishte Valteri Botasi fituesi i provave rrufe për të përcaktuar rendin e nisjes në Çmimin e Madh të Brazilit në Interlagos, duke lënë pas që në start Maks Verstapenin, por gjithsesi piloti holandez ka arsye për t’u ndjerë i kënaqur. Ylli 23-vjeçar i Red Bullit vërtet humbi kryesimin në nisje të sprintit prej 24 xhirosh, por kombinimi i rrethanave e bën favorit për t’iu afruar edhe më shumë titullit botëror, objektivit kryesor. Protagonisti i madh i sprintit ishte Ljuis Hamilton, i cili me Mercedesin e tij u nis nga vendi i fundit pasi u dënua nga organizatorët për një shkelje teknike. Anglezi, kampion bote në fuqi i Formula 1, rikuperoi 15 vende duke dalë i pesti, por ky heroizëm do t’i vlerë më shumë për moral dhe për të mbetur në histori. Hamiltoni ishte i dënuar që më parë me zbritje me 5 vende në nisjen e garës për shkak se ndryshoi motorin, pra do të niset nga vendi i 10-të. Do të jetë e vështirë të kalojë Verstapenin, edhe pse holandezi ndoshta do të pengohet nga Mercedesi i Botasit. Për momentin, piloti i Red Bullit ka 21 pikë më shumë sesa anglezi 36-vjeçar.

Sfidanti.al