Ishte sërish një garë e madhe për kampionin e botës, veçse ishte në një nga pistat e tij të preferuara. Ljuis Hamilton triumfoi me diferencë dhe me lehtësi në Çmimin e Madh të Hungarisë në Budapest, duke realizuar tre qëllime. Së pari, të ngjitej në krye të renditjes së Kampionatit Botëror të Formula 1 me 63 pikë, pesë më shumë se shoku i tij i skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botas.
Së dyti, 35-vjeçari barazoi rekordin e Mikael Shumaherit për numrin e fitoreve në një pistë të vetme, pasi mbërriti në 8 suksese në Hungaroring, ndërsa gjermani ka arritur 8 fitore në Çmimin e Madh të Francës. Së treti, britaniku realizoi sërish veprimin e tij të luftës ndaj racizmit, dhe një pjesë e madhe e pilotëve iu përgjigj në fillim të garës. Pastaj, Hamiltoni u gjunjëzua edhe pas fitores.
“Unë luftova deri në fund, për të respektuar garën dhe për të fituar xhiron më të shpejtë, – tha Ljuisi, – përgëzime të mëdha dhe falenderime të mëdha për njerëzit që punojnë në skuadrën tonë, për makinën që na kanë dhuruar. Një punë fantastike. Unë isha vetvetja këtë herë, por sfida ishte e ndryshme. Kishim ritëm të lartë dhe gjatë gjithë fundjavës ishim shumë mirë. Të përpiqemi të mbetemi në këto nivele dhe të përmirësohemi”.
Sfidanti.al