Hallet e pasardhëses së Luiza Gegës, medalja europiane e lë pa shkollë Redia Dautin!

Për fat kampionia do të ketë trashëgimtaret e veta. Disa vajza të reja e të vogla po ndjekin rrugën e Luiza Gegës dhe nën drejtimin e të njëjtit trajner, Taulant Stërmasi, do të sjellin padyshim medalje të tjera europiane për Shqipërinë. Atleja që mund të cilësohet për momentin pasardhësja e denjë e Luizës është Redia Dauti, prezantimin e së cilës e bën pikërisht Stërmasi.

“Redia është atletja që është më afër arritjeve të Luizës, edhe pse kjo mund të ndodhë në të ardhmen, – thotë ai, – ajo është 18 vjeç, synojmë medalje në Europianin U20 korrikun e ardhshëm. Ka të njëjtat gara si Luiza, ka parametra të ngjashme, por për fat është më e gjatë dhe kjo mund ta ndihmojë në kalimin e pengesave”.

Gjithsesi, sporti në Shqipëri ka halle nga më të çuditshmet, dhe njëri prej tyre ka lidhje me shkollën. Një atlete që përkushtohet për të ngritur flamurin shqiptar mund të mbetet pa arsimuar. “Nuk ma marrin në shkollë sepse ka mungesa, ndërsa unë kisha folur se Redia është sportiste e nivelit të lartë dhe ka nevojë për grumbullime dhe shkëputje nga shkolla, – thotë Taulanti,- duhet një rregullore që të përcaktohet nga ministria dhe Universiteti për atletet e nivelit të lartë. Ndryshe do të mbetet pa shkollë për shkak të sportit”. Redia thotë se sportin e ka pasion, dhe pohon se i ka krijuar problemet me shkollën.

Sfidanti.al