Nëse Mançester Junajtidi mund të akuzohet në Angli se ka shpenzuar shumë para dhe nuk ka ndërtuar dot një skuadër, kjo nuk mund të thuhet më pak për Realin. Deri tani kritikat në Spanjë kanë qenë për Barcelonën, por dështimi i madrilenëve ndaj Sitit ia “hoqi petët lakrorit”. Nga treshja e sulmit Bejl-Benzema-Kristiano Ronaldo (BBC), në fushë në Champions ishin Benzema-Isko-Vinisius. Pak orë para ndeshjes, gazeta “Marka” theksonte se vetëm Erling Halandi ka më shumë gola këtë sezon sesa gjithë sulmi i Realit (Benzema, Bejl, Joviç, Isko, Lukas Vaskez, Vinisius, Rodrigo, Hazar). Ja pra që golat e Kristiano Ronaldos ende nuk janë zëvendësuar, dhe as nuk është gjetur një Bejl i ri.
“Reali është ende në tranzicion”, – thotë gazetar spanjoll që punon për BBC-në, Gijem Balage (Guillem Balague). Sidoqoftë, Pep Guardiola thekson se “nëse ka një skuadër që mund t’ia dalë në Champions edhe në një situatë të tillë, kjo është e Realit, deri tani është luajtur vetëm një pjesë”. Këtë mendim ka edhe mesfushori madrilen, Kasemiro: “Nëse ka një skuadër të aftë për ta tejkaluar këtë deficit në ndeshjen e dytë, ajo është Reali i Madridit”.
Sfidanti.al