Mançester Siti arriti një fitore të vështirë të momentit të fundit me Bornmauthin në “Vitality, me golin e shënuar, madje, në min. e 97-të, duke e thyer, më në fund, rezistencën e ekipit vendas. Heroi i “qytetarëve”, Rahim Sterlingu, mbasi shënoi golin vendimtar të ndeshjes, vendosi që ta festojë golin bashkë me tifozët, por gjyqtari Majk Din e dërgoi atë, pa mbaruar ndeshja, drejt dhomës së zhveshjes, kështu që ai nuk do të jetë në gjendje që të luajë kundër Liverpulit në ndeshjen e ardhshme. Ndaj vendimit të gjyqtarit reagoi ashpër trajneri i Sitit, Guardiola, që, me këtë rast, shtroi pyetjen se përse, atëherë, luhet futbolli para tifozëve në tribuna.
“Me të vërtetë, nuk e kutoj. A ka ndonjë njeri që të ma shpjegoj? Lojtari ynë e festoi golin bashkë me tifozët, u kthye në terren dhe, atëherë, unë nuk e kuptova se çfarë ndodhi. A mund të ma shpjegoj njeri se përse Rahimi nuk do të luajë kundër Liverpulit? Më duket se është më mirë që futbolli të luhet pa tifozë!”, vuri në dukje me ironi Guardiola.