Së pari, ai ka shqetësimin e madh që të mos krijojë probleme në ekipin që drejton. Ka shumë spekullime për të ardhmen e Pep Guardiolës, dhe për mosrinovimin me Mançester Sitin, ndaj edhe trajneri katalanas vendosi të të jepte një përgjigje të tillë që t’i jepte fund çdo dyshimi. Ai u ngacmua për të ardhmen, për një kthim të mundshëm tek Barcelona.
“Karriera ime si trajner i Barcelonës ka marrë fund, – tha ai prerë, – ka njerëz të shkëlqyer që janë në drejtim të punëve. Ronald Kuman është një trajner i shkëlqyer, i pabesueshëm. Për mua është mbyllur. Unë do të kthehem në Barcelonë për të parë ndonjë ndeshje, por unë jam i lumtur këtu, kam dëshirë që punoj mirë dhe të arrij suksese, kjo është gjëja kryesore. Tani tek Barcelona do të ketë zgjedhje, dhe shpresojmë që të zgjidhet presidenti i duhur dhe bordi i duhur drejtues, për ta mbajtur klubin në nivelet më të larta”.
Nuk dihet nëse këto përbetime mund të besohen. Guardiola punoi për 4 sezone në “Kamp Nou”, pastaj 3 vjet tek Bajerni e tani një kohë më të gjatë tek Mançester Siti, ku ka hyrë në edicionin e pestë. Pavarësisht nëse Pepi deklaroi sinqerisht atë që mendon, janë të gjitha mundësitë që ai të ndjejë diçka ne zemër e ta mendojë një rikthim tek Barcelona.
Sfidanti.al