Është padyshim skuadra më e mirë në NBA, dhe kjo ndodh prej të paktën 4 sezonesh. Me tre tituj dhe katër finale të mëdha, Golden Stejti nuk ka synim tjetër veçse të fitojë edhe një kampionat tjetër, veçse kalifornianët vuajnë nga një problem i madh. E habitshme ta thuash për një ekip, në përbërje të të cilit janë Kërri, Durant, Tompson dhe Grin, por e vërteta është që atyre u mungojnë centimetrat dhe kilogramët poshtë koshit.
Menaxheri i përgjithshëm, Bob Majers, thekson se “kemi vetëm dy qendra të vërteta, dhe kjo është pak për NBA-në”. Majers shton se për pak javë ose pak ditë mund të kthehet qendra e fuqishme DeMarkus Kouzins, një nga më të mirët në NBA në rolin e tij, por sipas tij, kjo sërish nuk mjafton. “Nuk e dimë saktësisht se kur kthehet DeMarkusi, – thotë ai, – ndërsa dëmtimi i Damian Xhonsit na ka prishur punë”. Golden Stejti do të kërkojë një qendër në periudhën e transferimeve (deri në 7 shkurt), ndërsa nga ekipi janë larguar qendrat e vjetshme Mekgi, Paçulia dhe Uest.
Mungesat nën kosh i kanë prishur punë kampionëve, që ndodhen në vendin e dytë në Perëndim me 25 fitore e 13 humbje, ndërsa Denveri, Toronto, Miluoki apo edhe Atlanta janë më mirë se ata. Gjithsesi, Golden Stejti tregoi veten në fushën e Feniksit, duke fituar 132-109, edhe pse trajneri Kërr aktivizoi shumë lojtarë rezervë. Kërri luajti 32 minuta dhe shënoi 34 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, Duranti ishte në fushë më pak se 30 minuta dhe shënoi 25 pikë. Plot 12 lojtarë të Uorriorsëve realizuan pikë.
Sfidanti.al