Tenshin Nasukava nuk është boksier, për më tepër është tepër i ri, jo më shumë se 20 vjeç. Gjithsesi, kampioni i arteve marciale nga Japonia pranoi të ndeshej në kushte totalisht të pabarabarta me Flojd Mejuedhër Xhuniorin, në një Arenë fantastike në rrethinat e Tokios. Rregullorja e “luftës” me 3 raunde ishte që do të ishte në ring, me doreza boksi, veçse pak më të vogla, si dhe më kryesorja, që Nasukava nuk duhej të përdorte armën e tij më të fortë, goditjen me shkelm.
Kjo paracaktoi gjithçka, dhe Mejuedhëri 41-vjeçar fitoi shumë lehtë, duke e hedhur tri herë në tapet japonezin. Kjo, vetëm në raundin e parë, ndërsa nuk dihet nëse 37 000 spektatorët në Arenë u kënaqën nga ajo që panë, apo jo.
Përse Nasukava pranoi të ndeshej në kushte kaq të pabarabarta? Arsyeja e vetme që të vjen në mendje është paraja. Vetë Mejuedhër mori 9 milionë USD për vetëm 9 minuta (në të vërtetë, luftoi për 3), ndërsa Nasukava padyshim fitoi më pak, por gjithsesi shumë për moshën dhe sportin e tij, kikboksin. Një ndeshje me Mejuedhërin do të thotë më shumë famë, dhe një karrierë me më shumë para.
Sfidanti.al