Golden Stejti, gjigandi (ende) i heshtur i NBA-së!

Arriti fitoren e tetë në 8 ndeshje dhe kualifikimin e dytë pa asnjë “njollë”. Kjo është skuadra nënkampione e NBA-së, njëkohësisht skuadra favorite për të fituar titullin këtë vit, Golden Stejt Uorriors. E njohur tashmë për katërshen e madhe Kërri-Durant-Tompson-Grin, ky formacion shkeli me këmbë ekipe seriozë si Portlendin dhe Juta Xhazin për të arritur finalen e Konferencës Perëndimore, ku do të presë San Antonion ose Hjustonin.

Mediat amerikane shkruajnë se kjo skuadër ende nuk e ka dhënë një paraqitje të rrëmbyeshme dhe agresive në nivelet e Klivlend Kavaliersit në Lindje, por janë po gazetarët që shtojnë se Uorriors nuk ka pasur nevojë që ta bëjë. “Kur shikon këtë ekip, kupton se mund ta ngrejë nivelin e lojës edhe shumë më lart se kaq po të jetë nevoja”, është komenti në faqen zyrtare të NBA-së.

Trajneri i Juta Xhazit, Kuin Snajder, tregon se çfarë i ka bërë më shumë përshtypje në duelet që ka pasur me nënkampionët. “Ata besojnë që të gjithë tek njëri-tjetri dhe janë gati të sakrifikojnë për njëri-tjetrin”, – u shpreh ai. Kjo, edhe pse Kevin Durant erdhi vetëm verën e kaluar. Trajneri Kerr dhe yjet kryesorë si Kërri apo Tompson, janë në harmoni dhe i kanë lejuar Durantit të luajë si të jetë më mirë për të, pa asnjë xhelozi.

Së fundi, është edhe aspekti mbrojtës. Vetë Duranti thotë se kurrë nuk e kishte menduar që një ekip të kujdesej kaq shumë për mbrojtjen sa Golden Stejti. Kjo ka bërë që kundërshtarët të mos kenë kurrë më shumë se 40 për qind saktësi në gjuajtje. Drejmond Grin thotë: “Ne nuk kemi në ekip lojtarë që duan t’i fitojnë ndeshjet vetëm, por jemi një skuadër e bashkuar”.

Sfidanti.al