Golden Stejt, kur ke ndërmend të ndalesh; kampionët me 10 fitore radhazi!

Më herët kishte mundur ekipe me yjet në mungesë. Pas sukseseve ndaj Lejkërsave pa Lebron Xhejmsin dhe Uashingtonit pa Xhon Uollin, kampionia e NBA-së, Golden Stejt Uorriors, dëshironte një kundërshtar me fuqi të plotë, për të treguar veten.

E ku mund të kishte rast më të mirë sesa në Arenën e Boston Sëlltiksit, 18 herë kampion i NBA-së, ku e prisnin Kajri Irvingu, Al Hortoni, Xhejzën Tatëmi, Xhejlën Brauni apo Markus Morrisi.

Golden Stejti e tregoi veten duke marrë fitoren e 10-të radhazi, 115-111, ndonëse vendasit e mbajtën ndeshjen në ekuilibër deri në sekondat e fundit. Sidoqoftë, nuk pati ndalesë, me katërshen e madhe që tani është kthyer në një pesëshe të plotë. Kampionët kanë formacionin më të talentuar, sot për sot, dhe një nga më të mirët në histori, me Durantin, Kërrin, Tompsonin, Grinin dhe Kouzinsin.

Durant ishte shënuesi më i mirë i sfidës me 33 pikë, si dhe me 9 topa në tabela, Kërri realizoi 24, kapiteni Tompson arriti deri në 21, ndërsa Kouzins shtoi 15 pikë, 8 topa në tabela, 3 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Drejmond Grin realizoi pak, 8 pikë, por arriti të kapte 11 topa në tabela e të shërbente 8 pasime për kosh.

Trajneri Stiv Kerr u pati fitoren e 300-të në karrierë, duke vendosur rekordin me më pak ndeshje, vetëm 377, ndaj 415 që kishte ish-rekordmeni, legjenda e NBA-së, Pat Rajli.

Irving udhëhoqi vendasit me 32 pikë, 6 topa në tabela, 10 asistë e dy vjedhje topi, por duke gabuar shumë në gjuajtjet për tri pikë. Horford pati 22 pikë të tjera dhe Tatëm edhe 20, por diferenca në talent dhe në përvojë ishte thuajse e pakapërcyeshme.

Golden Stejti ka tashmë 35 fitore e 14 humbje, kryeson Konferencën Perëndimore, dhe vetëm Miluoki mbetet skuadër më e mirë se kampionët, këtë sezon në NBA.

Sfidanti.al