Gladbah, fitorja në Ukrainë ishte si e kohëve të Fogstit e Necerit!

Ndaj Realit, kuptohet, që u ngrit një “mur kinez” për të mbrojtur rezultatin, por gjithsesi dy barazime ndaj dy kolosëve të grupit nuk ishin pak. Borusia e Mynshengladbahut hodhi një tjetër hap përpara në Champions, duke triumfuar 6-0 në Ukrainë ndaj Shahtarit të Donjeckut, një skuadre që kishte mundur Realin 3-2 në Madrid dhe kishte barazuar 2-2 me Interin në Milano. Kjo “bandë” e djemve të rinj si Plea, Bensebalni, Shtindl, Lang e të tjerë, arriti një nga fitoret më të thella të Gladbahut në historinë e kupave të Europës, dhe flitet për një ekip të shkëlqyer në vitet 70-të e gjysmën e viteve 80-të.

Një sukses si i kohëve kur në fushë ishin Berti Fogst apo Gynter Necer, artistë të kombëtares së Gjermanisë Perëndimore që doli kampione e botës dhe kampione e Europës në 1974 e 1972. Ndoshta është shpejt për të bërë krahasime, por gjithsesi, tre rezultate pozitive në një grup kaq të vështirë nuk janë rastësi. Për më tepër, që Gladbahu sot ka më pak përvojë se Reali, Interi dhe Shahtari.

Sfidanti.al