Gjokoviçi pozitiv me koronavirus, keqardhje e madhe në Kroaci!

Ja edhe një emër tjetër i madh, një nga tre më të mëdhenjtë e tenisit, të paktën në epokën tonë. Novak Gjokoviç dhe gruaja e tij, Jelena, dolën pozitivë për koronavirus, pasi bënë analizat, dhe menjëherë në rrjetet sociale nisi një stuhi sulmesh, talljesh, qortimesh  nga e gjithë bota. Infektimi i Gjokoviçit, sipas të gjitha gjasave, ka ndodhur në Turneun e tij në Zadar të Kroacisë, ku u shkelën jo pak rregullat për t’u mbrojtur nga koronavisuri.

“Gjokoviçi është kandidat për të fituar çmimin e idiotit të vitit”, ishte lajtmotivi i gallatës së madhe në rrjetet sociale, jo vetëm për pakujdesinë e treguar nga ai në Zadar, por edhe për refuzimin e tij publik për të përdorur vaksinën ndaj epidemisë, kur ajo të arrijë të krijohet. Përpara turneut në Zadar, Nole kishte organizuar një tjetër në Beograd, ndërsa ishte marrë me tenis, me futboll, por edhe duke u harbuar nëpër klube gjatë mbrëmjeve. Pozitivë kishin dalë më herët tenistët Grigor Dimitrov, Borna Çoriç e Viktor Troicki, po ashtu trajneri i fitnesit së Gjokoviçit, Marko Paniki dhe trajneri i Dimitrovit, Kristian Groh.

Në Kroaci i kanë dalë në krah tenistit serb, i cili vazhdimisht ka qenë i lidhur me këtë vend, madje duke qenë tifoz i Kroacisë në Kupën e Botës në Rusi në 2018. “Më vjen shumë keq për Novakun, – thotë trajneri kroat, Nikola Piliç, – ideja për turneun nuk ishte thjesht e tija, por një ide popullore në vendin tonë, për të promovuar Kroacinë. A e kuptoni se çfarë reklame është kur tek ne vjen tenisti numër 1 i botës, dhe yje të tjerë?”

Sfidanti.al