Gjokoviç e Barti? Jo, janë rusët që dominojnë në Sinsinati!

Numri 1 i botës nuk do të mërzitet shumë këtë herë. Novak Gjokoviç luante turneun e tij të parë që nga Uimbëlldoni, dhe padyshim forma e tij ishte pak me “ndryshk”, diçka që nuk mund ta thoje për rivalin në gjysmëfinale të turneut ATP në Sinsinati, Danil Medvedev. Rusi kishte arritur finalen në Roxher Kap pak javë më parë, humbur me Nadalin, ndërsa e dinte “sekretin” sesi ta mundte serbin. Këtë e kishte bërë edhe një herë tjetër këtë vit. Medvedev fitoi 2-1 me sete (3-6, 6-3, 6-3).

Sinsinati këtë vit nuk qenka i mbarë për më të mirët. Federer u eleminua më herët, Nadal nuk mori pjesë fare, Naomi Osaka u mund tek femrat, dhe po ashtu i ndodhi në gjysmëfinale edhe australianes Eshli Barti. Kjo gjithashtu u thye nga një teniste nga Rusia. Svetlana Kuznjecova triumfoi thjesht dhe pastër 2-0, me setet 6-2 e 6-4. Kjo humbje bëri që Barti të mos ngjitej sërish në vendin e parë të renditjes së femrave, diçka që do ta kishte bërë po të kishte dalë në finalen e Sinsinatit. Sa për tenisin rus, ai po paraqitet shumë mirë me Medvedevin, Rubljovin apo Kuznjecovën.

Sfidanti.al