Fylkrug dhe Mukoko, zgjedhjet e skajshme të Flikut për Gjermaninë

Sulmuesi i Verderit të Bremenit mori një thirrje të papritur, duke qenë një figurë e harruar në qarqet e kombëtares. Për herë të fundit Niklas Fylkrug e kishte veshur fanelën e Gjermanisë për nivelin U20 deri në 2014, duke shënuar 3 gola në 9 ndeshje. Në moshën 29-vjeçare vështirë se e priste kush që shtatlarti nga Hanoveri (1.89 metra gjatësi trupore) do të kishte fatin për të provuar Botërorin me Gjermaninë. “Dojçe Vele” e cilëson si “armën sekrete” në Katar.

Mukoko në të kundërt është fryt i globalizmit në futbollin gjerman, duke qenë me origjinë afrikane dhe është thuajse e kundërta e Fylkrugut, pasi është vetëm 17 vjeç. Ai ka vendosur disa rekorde si lojtari më i ri që hyn në fushë në historinë e Bundesligës, lojtari më i ri në histori në Champions, dhe shënuesi më i ri në historinë e Bundesligës. Pritet shumë nga ky djalosh i ri, i cili ende duhet ta tregojë veten në nivelet e larta, ndërsa nuk dihet sesa Fylkrugu dhe Mukoko do të luajnë në Katar. “Niklasi ka momentin në anën e tij, – thotë trajneri Flik, – po luan shumë mirë, mjafton të shohësh golat e tij. Jusufa thjesht po zhvillohet shumë mirë, i shpejtë, i shkathët dhe realizues i spikatur”.

Sfidanti.al