Frankfurti U19 e mban shpresën e mbijetesës tek Ervin Skela!

Do të kishte dëshirë që të ishte vetë në fushë. Ervin Skela e tregon çdo ditë se nuk ka humbur asgjë nga klasi i tij, por ish-ylli kuqezi këtë herë ka një mision tjetër, tepër të rëndësishëm. Mesfushori i dikurshëm i kombëtares shqiptare, dhe i Ajntrahtit të Frankfurtit, prej një muaji është trajner i ekipit U19 të klubit, me synimin për të mos lejuar rënien nga kategoria. Të rinjtë e Frankfurtit janë në pozitë tepër të vështirë, vetëm 1 pikë mbi zonën e ftohtë që të  zbret në kategorinë e dytë, por megjithatë Skela ka besim.

“Ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë. Ne nuk duhet të biem nga kategoria. Të gjithë djemtë po punojnë fort për këtë. Kemi nevojë për dy fitore, që do të na largonin nga pozicioni i rrezikshëm ku ndodhemi”. Mediat gjermane vlerësojnë punën e bërë nga Skela deri tani, i cili ka arritur 2 fitore dhe 2 humbje, ndërsa dy ndeshjet e radhës janë të vështira, ndaj Shtutgartit dhe Nyrnbergut. Gjithsesi, shpresa është që Frankfurti U19 do të mbijetojë nën drejtimin e trajnerit shqiptar.

Sfidanti.al