Euroliga, kampionët e CSKA-së nuk ndalen as në Pire!

Kampionët vazhdojnë të bëjnë ligjin në Euroligë, të paktën në pjesën e parë të sezonit. CSKA e Moskës arriti një sukses domethënës në Greqi, ndaj Olimpiakosit të Pireut, një kundërshtar me shumë përvojë dhe krenari në fushën e vet. Moskovitët u shkëputën në gjysmën e parë, dhe arritën ta kontrollonin ndeshjen në 20 minutat e dyta, duke ia dalë 81-75.

Vendosi perioda e dytë fituar nga rusët 19-7, vendosi edhe numri i madh i kampionëve në dispozicion të trajnerit Dhimitris Itudis. Francezi Nando De Kolo shënoi 23 pikë, amerikani Aron Xhekson 15, rusi Andrei Voronceviç shtoi 11 dhe serbi Millosh Teodosiç realizoi 10. Papritmas, De Kolo jo shumë shtatlartë dominoi tabelat me 9 topa të kapur, ndërsa Teodosiç e Xhekson shpërndanë nga 5 asistë.

Nuk mjaftuan për Olimpiakosin Jorgos Princezis (25 pikë) dhe Vasilis Spanulis (14 pikë, 5 asistë), nuk bënë punë as 10 000 tifozë të zjarrtë në Pallatin e Sportit “Paqja dhe Miqësia” në Athinë.

Përveç takimit në Greqi, u luajt edhe në Madrid ku Reali mundi Gallatasarajin 90-81 dhe në Gjermani, ku Broze Basket i Bambergut ia doli pas kohës shtesë ndaj italianëve të Milanos, 106-102.

Pas javës së 5-të është e sigurt se CSKA-ja do të mbetet e vetmja skuadër pa asjnë humbje, edhe pse ndeshje do të luhen edhe sot. Pas kampionëve janë Reali e Fenerbahçe me nga 4 fitore e 1 humbje, ndërsa Panathinaikos ka vërtet vetëm 1 disfatë, por do të luajë sonte në Turqi ndaj Anadolu Efesit.

B.Kuka