Ethemi dhe Rroca ndihmojnë Istanbulsporin në Superligën turke!

Janë një dyshe që i dhanë një dorë ekipit të tyre për të lënë pas Ligën e Parë, dhe do të përpiqen për të pamundurën, pra për mbijetesën. Tek Istanbulspori është mesfushori Eduart Rroca që mban shiritin e kapitenit, si dhe mesfushori tjetër nga Maqedonia e Veriut, Valon Ethemi. Ky i fundit realizoi në fitoren 2-1 në Superligë ndaj Kasëmpashait. Pas një përvoje të gjatë në futbollin shqiptar, që nga Akademia e Dinamos në 2015, tek Adriatiku i Mamurrasit e Kukësi deri në 2021, Ethemi po ecën mjaft mirë në Turqi. Ai shënoi në 29’ për 1-1, pasi Raul Petreta kaloi miqtë në epërsi, ndërsa Gyltekin siguroi përfundimisht fitoren. Një paraqitje mjaft e mirë e dy shqiptarëve, për të cilën kishte shumë nevojë Istanbuli që ndodhet në vendin e parafundit me vetëm 11 pikë, 4 pikë larg vendit të 15-të që të mban në Superligë. Suksesi erdhi pas 4 humbjeve radhazi dhe shpresohet që ekipi i kapitenit Rroca të mund t’ia dalë për të mbijetuar në elitën turke.

Sfidanti.al