Uestbruku nuk ndalet me tripëll dabëllat, dhe barazon rekordin

Deri përpara tij, basketbollisti me më shumë arritje të tilla, duke e nisur ndeshjen nga stoli, e kishte bërë 4 herë. Po kaq tripëll dabëlla nga stoli ka edhe Rasëll Uestbruk që ndihmoi Lejkërsat t’i jepnin fund një serie prej 4 humbjesh radhazi, me suksesin 129-110 në fushën e Orlandos. Uestbruku shënoi 15 pikë, kapi 13 topa në tabela e shërbeu 13 asistë, ndërsa në total ka 197 tripëll dabëlla që është edhe rekordi historik i NBA-së dhe që vazhdon të thellohet. Rekordi i vjetër i Oskar Robertsonit ishte 181! Lebron Xhejmsi shënoi 28 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shtoi 5 asiste, në një paraqitje të mirë, por me një problem, që i humbi të 7 koshat për tri pikë. “Nuk ishte fitore e lehtë, – tha ai, – Orlando kishte fituar 8 nga 9 ndeshjet e fundit dhe kishte mundur dy herë Bostonin”. Lejkërsat gjithsesi janë shumë poshtë në renditje në Perëndim.

Sfidanti.al